Tjetër varrezë masive në Serbi/ Dyshohet për trupat e 17 shqiptarë civilë të vrarë gjatë luftës në Kosovë   

Të premten, mbetjet njerëzore që besohet të jenë trupat e dhjetëra shqiptarëve etnikë të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, janë gjetur brenda Serbisë, tha një zyrtar serb.

Kërkimi për viktimat mbetet një pengesë kryesore për përmirësimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, kur jemi më shumë se dy dekada pas përfundimit të konfliktit në Kosovë.

Për të gjetur varrin masiv në një minierë të hapur në Kizevak në jug të Serbisë, hetuesit përdorën imazhe satelitore.

Sipas kreut të Komisionit të Serbisë për Personat e Zhdukur, Veljko Odalovic, mendohet se mund të jenë rreth 17 trupa.

Ekspertja Suzana Matejic tha se hetimi i mëtejshëm do të frenohet për shkak të dimrit dhe kufizimeve të koronavirusit.

Më shumë se 13,000 njerëz besohet të kenë vdekur gjatë luftës në Kosovë. Luftimet përfunduan në 1999 pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë. Shumica e viktimave ishin shqiptarë etnikë dhe ende janë qindra të zhdukur.

Përfaqësuesi i Kosovës për personat e zhdukur, Ibrahim Makolli, tha se duhet të jetë përparësi, gjetja e përgjegjësve për vdekjet, duke shtuar: “Ata duhet të marrin dënimin e merituar.”

Zbulimi erdhi si pasojë e përpjekjeve nga Serbia, Kosova, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe EULEX, misioni i drejtësisë dhe policisë i BE-së në Kosovë.

Varri masiv më i madh nga lufta i gjetur deri më tani, që përmbante trupat e më shumë se 800 shqiptarëve të Kosovës, u gjet në 2001 në një kompleks policie afër Beogradit.

Kosova shpalli pavarësinë në 2008-ën, por Beogradi refuzon ta njohë atë. Serbia ka aplikuar për të qenë një anëtare e Bashkimit Evropian dhe Kosova gjithashtu dëshiron të jetë pjesë e BE-së, por të dy duhet të normalizojnë lidhjet para se t’i bashkohen unionit.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*