‘Tërhiquni ose shkojmë në Gjykatë’/ Rriten tensionet mes BE-së dhe Britanisë për Brexit

Pas një periudhe ‘qetësie’, janë rritur sërish tensionet mes autoriteteve europiane dhe Londrës Zyrtare dhe shkaku si gjithmonë është “Brexit”.

Me vendimin e fundit të kryeministrit Boris Johnson për të miratuar një projekt-ligj që do të ndryshonte disa pjesë të marrëveshjes që ka larguar tashmë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian, Brukseli është tejet i irrituar.

Pjesa më e nxehtë ka të bëj edhe një herë me Irlandën e Veriut, që sipas termave juridike të Brexit do të mbetet ekonomikisht në tregun europian, por sipas BE-së me projekt-ligjin e ri mund të shndërrohet në një lloj “dere të pasme” për Londrën, që mund të anashkalonte taksat doganore me BE-në.

Pas një takimi urgjent të ministrit britanik Michael Gove me zëvendëspresidentin  e Komisionit Europian Marcos Sefcovic, Brukseli doli me një deklaratë zyrtare që tingëllon si një ultimatum. Londra ka një muaj për t’u tërhequr nga projekt-ligji, përndryshe Bashkimi Europian do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjore që do të gjykojë të përshtatshme.

Johnson, nga ana tjetër, mendon se vendimi i Parlamentit e tejkalon atë të Brukselit për sa i përket ligjeve lokale, por edhe kryeministri po kritikohet ashpër edhe nga vetë konservatorët, që po akuzojnë se ka rrënuar imazhin e Britanisë së Madhe për sa i përket respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*