Talebanët sulmojnë pikën e kontrollit/ Raportohen të paktën 17 ushtarë afganë të vrarë

Zyrtarët afganë kanë thënë se luftëtarët talibanë kanë sulmuar një pikë të kontrollit në provincën Javzjan, duke vrarë të paktën 12 pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Zëdhënësi i guvernatorit provincial, Azar Jawjani, tha se pesë pjesëtarë të tjerë janë plagosur në këtë sulm. Militanët po ashtu kanë marrë peng katër ushtarë të tjerë pas këtij sulmi, shtoi ai, raporton Rel.

Një tjetër zëdhënës, Marouf Azari tha se në këtë sulm ka pasur viktima edhe në mesin e militantëve.

“Pesë talibanë janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve”, tha ai.

Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, por kanë deklaruar se numri i ushtarëve të vrarë është më i lartë.

Ndërkaq, në provincën Kunduz, militantët talibanë kanë sulmuar edhe një pikë kontrolli të ushtrisë, duke vrarë pesë ushtarë, kanë njoftuar zyrtarët afganë.

Teksa, në një shpërthim me mortaja në provincën Ghazni, katër fëmijë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën, njoftuan zyrtarët.

Sipas shifrave të ofruara nga Qeveria afgane, vetëm gjatë javëve të fundit, 422 pjesëtarë të personelit afganë janë vrarë në sulmet e talibanëve.

Talibanët, në anën tjetër, thonë se mbeten të përkushtuar në marrëveshjen e arritur në shkurt me Shtetet e Bashkuara. Kjo marrëveshje ka për qëllim t’i hapë rrugën bisedimeve të paqes ndërmjet Qeverisë afgane dhe talibanëve.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*