Sulmohet baza amerikane në Afganistan, 1 i vdekur dhe 65 të plagosur

Dy sulme të njëpasnjëshme kanë lënë të vrarë një person dhe kanë plagosur më shumë se 65 të tjerë afër bazës kryesore ushtarake amerikane në Bagram të Afganistanit, kanë thënë zyrtarë lokalë dhe ata të NATO-s.

Sulmet, për të cilat ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë vijnë teksa Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar bisedimet me talibanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare, tre muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump pati pezulluar ato, raporton Rel.

Misioni mbështetës i NATO-s në këtë vend ka thënë se zona është duke u ruajtur pas incidentit.

“Forcat armike kanë kryer sulme në zonën ajrore Bagram këtë mëngjes, duke shënjestruar një ndërtesë mjekësore, e cila po ndërtohej për t’iu ndihmuar afganëve që jetojnë afër bazës”, është thënë në deklaratën e NATO-s.

Baza ushtarake në Bagram gjendet rreth 50 kilometra në veri të Kabulit.

Sulmet e së mërkurës kanë ndodhur në kohën kur Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë marrëveshje me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit.

Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*