Samiti i BP/ Haradinaj: Flamuri dhe simbolet e Kosovës qëndruan si ‘mirëseardhje’ për ministrin e ri serb

‘Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Procesit të Berlinit, flamuri dhe simbolet e Republikës së Kosovës qëndruan – si “mirëseardhje” për ministrin e ri serb, që të mësohet dhe adaptohet me pjesëmarrjen e Kosovës dhe flamurit të saj si anëtare e barabartë në secilin përfaqësim rajonal e global ku marrim pjesë’, ka njoftuar ministrja Haradinaj-Stublla në postimin e saj në Facebook.

Kryediplomatja e Kosovës ka theksuar se Kosova nuk mund të sillet sikur nuk po ndodhë asgjë me të dhe rreth saj, duke vënë theksin tek zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale dhe goditjen e madhe politike e shoqërore që ka pësuar populli i saj, duke qenë dëshmitar të përpjekjeve për të rishkruar historinë, të cilën e kam përjetuar edhe personalisht.

Postimi i plotë i Meliza Haradinaj-Stublla:

Përkundër insistimit të palës serbe për largim të simboleve shtetërore, në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Procesit të Berlinit, flamuri dhe simbolet e Republikës së Kosovës qëndruan – si “mirëseardhje” për ministrin e ri serb, që të mësohet dhe adaptohet me pjesëmarrjen e Kosovës dhe flamurit të saj si anëtare e barabartë në secilin përfaqësim rajonal e global ku marrim pjesë.

Duke falënderuar fillimisht bashkëkryesuesit nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore për organizimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor në kohë jashtëzakonisht të vështira me pandeminë, theksova nevojën e diskutimit të sinqertë të sfidave reale që pengojnë rajonin në integrimin përmbajtësor drejt strukturave evropiane, dhe ato që pengojnë raportet dhe trajtimin simetrik të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Duke respektuar vizionin progresiv dhe vullnetin deklarativ të të gjithë pjesëmarrësve sot, nënvizova se Kosova nuk mund të sillet pothuajse nuk po ndodhë asgjë me të dhe rreth saj, duke vënë theksin tek zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale dhe goditjen e madhe politike e shoqërore që ka pësuar populli i saj, duke qenë dëshmitar të përpjekjeve për të rishkruar historinë, të cilën e kam përjetuar edhe personalisht.

Theksova se gjatë luftës së fundit, Kosova ka qenë viktima dhe Serbia agresori – dhe asnjë pretendim NUK mund t’a ndryshojë këtë raport asimetrik, të njohur tanimë ndërkombëtarisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e drejtë e vetëmbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e pastër, fisnike, dhe e drejtë – kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, dhe do të vazhdojë fuqishëm të dëshmojë dhe vulosë përfundimisht pastërtinë e saj. Në këtë kontekst, kërkova drejtësi ndërkombëtare për krimet ende të pandëshkuara të Serbisë në Kosovë. Poashtu vura paralele tek Serbia – e cila ende nuk ka kërkuar falje, nuk ka pranuar krimet, dhe nuk ka heqë dorë nga mosndëshkueshmëria – si politike shtetërore, vazhdimësi e trashëgimisë kriminale të Millosheviqit. Rasti skandaloz i Rajko Kozllinës, i cili ka vazhduar të jetë anëtar ushtrisë serbe edhepse i dënuar për krime lufte për masakrën e Tërnjës, dhe i cili vazhdon të mbrohet nga aparati shtetëror serb duke e lejuar t’i ikë vuajtjes së dënimit.

Deklarova se progresi nga implementimi i arritjeve nga Procesi i Berlinit – që mban vulën e Kancelares Merkel – është i rëndësishëm, por poashtu theksova se Kosova nuk do të lejojë trajtim të pabarabartë brenda formatit të bashkëpunimit rajonal, duke vënë theksin tek mospranimi i realitetit politik e ligjor të Kosovës nga ana e Serbisë – gjë që po mban peng bashkëpunimin e plotë rajonal. Vura theksin poashtu tek fakti që Serbia vazhdon mospërmbushjen e obligimeve të dala nga zotimet e mëhershme të Procesit të Berlinit, si dhe të atyre që ndërlidhen me marrëveshjet e Brukselit.

Para se të synohet lëvizja e lirë e qytetarëve, mallërave, dhe kapitalit, kërkova që Serbia të zbatojë në plotni dhe efektivisht marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, t’i njoh dokumentet e Kosovës, targat RKS, dhe të mundësojë lëvizjen e papenguar të qytetarëve të Kosovës përmes zbatimit të obligimeve për funksionalizim të 4 pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, ashtu siç janë dakorduar kur kanë nënshkruar marrëveshjen e IBM-it para disa viteve në Bruksel. Pa këto predispozita, nuk mund të synohet as bashkëpunimi i plotë rajonal, as tregu i përbashkët, e aq më pak e ashtuquajtura ide e ‘mini-schengenit.’

Përsërita poashtu shkeljet që Serbia në vazhdimësi i bën duke keqpërdorur Interpolin për të lëshuar fletarreste ndërkombëtare të rrejshme kundër qytetarëve të Kosovës, dhe duke kërcënuar, maltretuar, e arrestuar qytetarët e Kosovës që përdorin Serbinë si rrugë transit për në Evropë, duke përmendur këtu rastin e arrestimit të pabazë të qytetarit tonë Agim Gjocaj para disa javësh, si dhe mbajtjen ilegale të Nezir Mehmetajt tash e disa muaj.

Në fund kërkova nga bashkë-kryesuesit që të respektohen në plotni dy Deklaratat e Përbashkëta të Samitit të Londrës 2018, mbi personat e pagjetur dhe krimet e luftës, duke kërkuar që të përfshihen poashtu në konkluzionet e takimit të sotëm.

https://www.facebook.com/melizaharadinajstublla/posts/179118220500912

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*