Rifillojnë bombardimet në Nagorno-Karabak, njoftime për zjarr artilerie

Zjarr artilerie u raportua të hënën në rajonin e diskutueshëm Nagorno-Karabakh, megjithë një armëpushim që hyri në fuqi të dielën herët.

Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëri-tjetrin për bombardimin e qyteteve të tyre brenda natës, pavarësisht një armëpushimi të mbështetur nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë që synonte shuarjen e dhunës, e cila ka lënë qindra të vdekur.

Zyrtarët azerë akuzuan Armeninë për bombardime në të paktën katër rajone jashtë zonës së konfliktit brenda natës. Zyrtarët në Nagorno-Karabakh, si dhe media shtetërore armene, thanë se Azerbajxhani vuri në shënjestër shumë fshatra dhe rifilloi bombardimet brenda natës.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit edhe të dielën.

Armëpushimi i fundit ishte i dyti i ndërmjetësuar nga zyrtarët rusë që nga fillimi i konfliktit muajin e kaluar. Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili veproi si ndërmjetës për armëpushimin, e quajti të hënën të papranueshëm vazhdimin e luftimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres gjithashtu foli kundër armiqësive të dielën ndërsa dënoi “të gjitha sulmet ndaj zonave të populluara të prekura nga konflikti në Nagorno-Karabakh”.

“Siç theksoi përsëri në telefonatat e tij të fundit me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit, të dyja palët kanë detyrimin sipas ligjit ndërkombëtar humanitar të bëjnë kujdes të vazhdueshëm për të mos dëmtuar dhe për t’i mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile në kryerjen e operacioneve ushtarake,” thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi Stephane Dujarric.

Luftimet e vazhdueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë shpërthyen më 27 shtator, duke shënuar përshkallëzimin më të madh të konfliktit që vazhdon prej dekadash mbi rajonin separatist Nagorno-Karabakh që nga një armëpushim i vitit 1994.

Territori kryesisht etnik armen deklaroi pavarësinë e tij nga Azerbajxhani në 1991 gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që u mori jetën rreth 30 mijë njerëzve para arritjes së një armëpushimi në vitin 1994. Sidoqoftë, ajo pavarësi nuk njihet ndërkombëtarisht./ VOA/

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*