Pompeo e quan qeverinë kineze ‘grabitqare’/ Thirrje për të qëndruar larg ndikimit të saj

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e quajti qeverinë komuniste të Kinës një “grabitqare”.

Ai i bëri komentet në Shri Lankë ku autoriteteve u bëri thirrje për të qëndruar larg ndikimit të Kinës.

Pompeo u angazhua edhe për fuqizimin e pranisë diplomatike amerikane në Maldive për t’iu kundërvënë superfuqisë aziatike – Kinës.

Shri Lanka dhe Maldivet, janë të vendosura në rrugët kryesore tregtare të Oqeanit Indian. Ato kanë marrë hua shumë nga Pekini në vitet e fundit, duke shqetësuar Uashingtonin.

Pompeo i bëri sulmet ndaj Kinës, në qendër të një turneu aziatik, këtë javë, që filloi në Indi dhe tani po lëviz nga ishujt e Oqeanit Indian në Indonezi.

“Shri Lanka është një partner i fuqishëm strategjik për Shtetet e Bashkuara në skenën botërore”, u tha Pompeo gazetarëve pas bisedimeve me presidentin, Gotabaya Rajapaksa. Pompeo tha se Uashingtoni ka siguruar trajnim ushtarak dhe dy anije roje bregdetare në Shri Lankë.

Ambasada kineze reagoi, duke postuar në Twitter një imazh promovues për video-lojën “Aliens vs Predator”.

“Na vjen keq Sekretar Pompeo, ne jemi të zënë me promovimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Kinë-Shri Lankë, nuk jemi të interesuar në ftesën tuaj të lojës Alien v Predator”, thuhej në postim.

Shtetet e Bashkuara ua kanë tërhequr rregullisht vërejtjen shteteve që të mos marrin hua nga Kina, pasi në këtë mënyrë i hapin asaj rrugën për të ndërhyrë dhe të shtrijë ndikimin në këto vende. SHBA-ja dhe Kina kanë një sërë mosmarrëveshjesh përfshirë ato tregtare dhe të teknologjisë./ Rel/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*