Peticioni me 120 firma intelektualësh: Serbët ‘kërcënojnë paqen’ në Malin e Zi dhe rajonin e Ballkanit

Dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të mirënjohur, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan, i janë bashkuar një peticioni online, duke paralajmëruar për “kërcënim të paqes” së rajonit nga ana e Beogradit, pas reagimeve që janë parë pas miratimit të një ligji të ri për liritë fetare në Malin e Zi.

Në mesin e 120 nënshkruesve të “Apelit kundër Kërcënimeve të Beogradit ndaj paqes në Malin e Zi dhe rajon”, gjenden ish-presidentë të Kroacisë dhe Sllovenisë, ish-liderë jugosllavë, tre ligjvënës serbë dhe dhjetë gazetarë, raporton Rel.

“Ne kemi parë nevojën e rikujtimit të vetës për disa gjëra që kanë ndodhur në vitet 1990 dhe të theksojmë se ato janë duke ndodhur edhe tani sipas një skenari të ngjashëm”, ka thënë, Sonja Biserko, nënshkruese e apelit të 30 dhjetorit dhe themeluese e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar gjakderdhjes që ka rezultuar me shpërbërje të Jugosllavisë.

Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së kishës nga shteti, andaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi.

Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpër fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbë është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*