Përballja me COVID-19/ Ekspertët paralajmërojnë për më shumë vdekje muajt e ardhshëm

Mbi një milion njerëz në shkallë botërore kanë humbur jetën si rezultat i koronavirusit.

Ndërkohë, kohët e fundit si rezultat i një rritje të infeksionit në shumë vende, përfshi Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, specialistët po paralajmërojnë për më shumë vdekje gjatë muajve të ardhshëm nga COVID-19.

Por nga ana tjetër, ka shenja të rënies së shkallës së vdekshmërisë dhe se njerëzit që preken nga virusi kanë gjasa më të mira mbijetese se sa të infektuarit në fillim të pandemisë.

Megjithëse vdekjet nga koronavirusi vazhdojnë të rriten, ekspertët thonë se ka tregues të rënies së vdekshmërisë në disa vende.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se çertifikatat e vdekjes tregojnë se pëqindja e vdekshmërisë për shkak të penumonisë, gripit ose COVID-19 ishte 6.6% për javën që u mbyll më 19 shtator, një rënie prej 10% nga një jave më parë.

Në Britani, hulumtimet tregojnë se shkalla e vdekshmërisë ishte 1.5% në gusht krahasuar me mbi 6% që ishte gjatë kulmit të pandemisë në prill.

Martin Landray është profesor i mjekësisë në Universitetin e Oxford-it. Ai thotë se punonjësit e mjekësisë dinë më shumë mbi trajtimin e pacientëve, përfshi përdorimin e steroidëve si deksamethazoni(dexamethason).

“Tani ne e dimë se për pacientët në respiratorë, mund të ulet vdekshmëria me një të tretën me një trajtim të thjeshtë, pa kosto të lartë dhe të disponueshëm. Gjë që nuk e dinim më parë. Po ashtu e dimë se ilaçi remdisivir shkurton qëndrimin në spital, por ende nuk e dimë nëse kjo në të vërtetë përmirëson shkallën e mbijetesës. Është e rëndësishme mbajtja e njerëzve jashtë spitalit apo shkurtimi i kohës së qëndrimit të tyre në spital. Por nuk është faktori kryesor. Faktori kryesor është se a mund të shpëtojmë jetë?”

Zoti Landray drejton provat klinike në Britani ku po testohen barna egzistuese në shkallë të gjerë për të përcaktuar efektshmërinë e tyre.

“Hidroklorokina, megjithë bujën e madhe dhe entuziazmin, nuk funksionon për pacientët në spital. E dimë se lopinavir/ritonavir, një trajtim për pacientët me HIV i përdorur gjerësisht, po ashtu nuk funksionon.”

Ndërsa bota shkencore shqyrton mbrojtjen më të mirë nga virusi, disa ekspertë sugjerojnë se COVID-19 do të vazhdojë të jetë i pranishëm sikurse edhe viruset e tjera.

Profesori David Heyman është me Grupin Këshillimor Strategjik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Rreziqet Infektive.

“Aktualisht duket se mund të bëhet endemike. Nëse po, atëherë duhet të mësojmë të jetojmë me virusin sikurse kemi mësuar të jetojmë me HIV-in apo sëmundje të tjera infektive, shumica e të cilave janë transmetuar nga kafshët tek njeriu në të kaluarën.”

Dr. Jesse Goodman, i cili ka drejtuar agjencinë amerikane për ushqimin dhe ilaçet, tani është profesor në Universitetin Georgetown.

“COVID-19 do të vazhdojë të jetë sfidë për ne. Pozitive është se ne e dimë si ta zbusim ndikimin e tij. E dimë se distancimi fizik funksionon. E dimë që maskat ulin rrezikun për përdoruesin dhe tek të tjerët. Mesazhi për shendetin publik duhet të vazhdojë të përhapet në mënyrë të vazhdueshme.”

Profesori thotë se kjo do të ndihmojë në funksionimin e ekonomive dhe në shmangien e rikthimit të mbylljeve./VOA

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*