‘Parada e Fitores’ kundër Armenisë/ Erdogan do vizitojë Azerbajxhanin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë Azerbajxhanin më 9 dhe 10 dhjetor, tha zyra e tij të enjten.

Ankaraja i ka ofruar mbështetje të fuqishme Azerbajxhanit, gjatë luftës disa javore me Armeninë, për rajonin e Nagorno Karabakut. Lufta përfundoi me 10 nëntor, pasi u arrit një marrëveshje armëpushimi, të cilët e ndërmjetësoi Rusia. Vizita e planifikuar, është e para nga një president i huaj në Baku, që nga fillimi i armëpushimit.

Në bazë të marrëveshjes, armenët etnikë u tërhoqën nga pjesë të mëdha të rajonit të kontestuar të Azerbajxhanit. Erdogan gjithashtu do të marrë pjesë në një paradë të madhe ushtarake në Baku, të enjten e ardhshme, kur do të festohet “Fitorja e Karabakut”, njoftoi media turke.

Ankaraja njoftoi të martën se Turqia dhe Rusia kanë rënë dakord për të monitoruar armëpushimin nga një qendër e përbashkët paqeruajtëse. Muajin e kaluar, parlamenti turk votoi për vendosjen e një misioni, për të ngritur qendrën me Rusinë.

Zyrtarët turq kanë thënë se qendra do të krijohet në një zonë që do të përcaktohet nga Azerbajxhani. Moska ka theksuar vazhdimisht se Turqia nuk duhet të ketë trupa në terren.

Presidenca nuk dha detaje të vizitës, por vetëm që Erdogan pritet të takohet me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev.

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo arment etnikë përbënin pjesën më të madhe të popullsisë atje dhe refuzonin rregullin azerbajxhanas.

Ata kanë udhëhequr çështjet e tyre vetë, me mbështetje të Armenisë, prej kur trupat e Azerbajxhanit dhe civilët etnikë të këtij shteti janë larguar nga rajoni, në luftën që ka përfunduar me armëpushim më 1994.

Luftimet nisën sërish në dhe afër rajonit të Nagorno-Karabakut më 27 shtator të këtij viti, duke vrarë mijëra ushtarë dhe civilë nga të dyja anët përgjatë disa javëve.

Azerbajxhani nuk ka ofruar të dhëna për viktimat e tij ushtarake. Luftimet përfunduan më 10 nëntor pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit./ REL/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*