Padi kundër Facebookut/ Qeveria amerikane e akuzon për monopol: Ka shtypur rivalët…

Padia e ngritur nga qeveria amerikane kundër Facebookut me akuzat se ka penguar konkurrencën dhe ka kufizuar opsionet që u ofrohen konsumatorëve, pritet të ndiqet me vëmendje në mbarë botën.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh shpjegon se një interes të veçantë do të tregojnë mbi dy miliardë përdoruesit e platformës sociale të kësaj kompanie.

Kompania më e madhe e medias sociale në botë është hedhur në gjyq.

“Për afro një dekadë, Facebooku ka përdorur dominimin e tij dhe fuqinë e monopolit për të shtypur rivalët më të vegjël,” thotë prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James.

Komisioni Federal i Tregtisë dhe 48 prokurorë të përgjithshëm në të gjithë vendin dhe territoret amerikane njoftuan kohët e fundit padi kundër Facebookut ku e akuzojnë për monopol.

“Kjo kompani ka reduktuar zgjedhjet për konsumatorët, ka penguar novacionin dhe ka dobësuar mbrojtjen e privatësisë për miliona amerikanë,” tha zonja James.

Akt-padia e akuzon Facebookun se përdor politikat “blej apo varros”.

“Ose i blinte kompanitë që i shihte si konkurrencë e rrezikshme, ose i varroste duke shfrytëzuar qasjen e tij në të dhëna ose mjete të tjera për të dërrmuar konkurrencën dhe për të nxjerrë rivalët jashtë loje,” thotë analistja Sally Hubbard.

Për shembull, bleu aplikacionin WhatsApp dhe platformën Instagram për të reduktuar konkurrencën, thotë akt-padia.

Në një deklaratë, zyrtarë të Facebookut e quajnë të shtrembëruar këtë interpretim, duke nënvizuar se Komisioni Federal i Tregtisë dhe Komisioni Evropian vetë e miratuan blerjen e këtyre shërbimeve.

“Paditë për eliminim të konkurrencës zakonisht mbështeten në argumentin se është dobësuar përfitimi i përbashkët, ka rënë cilësia apo prodhimi, janë rritur çmimet. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë të vërtetohet se Instagrami ka pësuar keqësim sepse u ble nga Facebooku, kur në fakt duket se e ka forcuar novacionin dhe popullaritetin e tij,” thotë profesori i së drejtës në Universitetin George Mason, John Yun.

Megjithatë, disa kritikë të Facebookut thonë se një analizë e punës së këtij gjigandi të medias sociale ka qenë e nevojshme prej kohësh, pasi kjo kompani ka në duar sasi kolosale të dhënash të konsumatorëve.

“Përdoruesve nuk u pëlqen që të dhënat e tyre po shfrytëzohen në këtë mënyrë nga Facebooku, apo për faktin që ka kaq shumë dizinformim. Nëse konsumatorët do të kishin një alternativë të mirëfilltë, Facebooku do ta ndjente më shumë presionin për t’u përmirësuar,” thotë analistja Charlotte Slaiman.

Charlotte Slaiman punon për organizatën “Public Knowledge,” e cila po punon për krijimin e një agjencie rregullatore për aktivitetin dixhital.

“Këto kompani kanë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë tonë, megjithatë nuk ekziston një agjenci rregullatore që i mbikqyr. Kjo detyrë i është lënë Kongresit, apo autoriteteve që luftojnë monopolet. Kjo është e pamjaftueshme,” thotë zonja Slaiman.

Ndjekja e suksesshme penale e Facebookut do të ndikonte tek përdoruesit e tij në mbarë botën, thotë Bill Kovacic ish-komisioner në Komisionin Federal të Tregtisë.

“Do t’u ofrojë më shumë alternativa për zgjedhje dhe do të rrisë rivalitetin gjë që nxit konkurrencën në mënyra që mund të na çudisin, duke krijuar novacione që nuk janë në ekzistencë aktualisht,” thotë zoti Kovacic.

Për 2.7 miliardë përdoruesit e Facebookut në botë, kjo mund të nënkuptojë më shumë mundësi për të vendosur se si lidhen dhe veprojnë në këto rrjete.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*