Normalizimi marrëdhënieve Izrael-Emirate-Bahrein/ Trump organizon ceremonitë historike

Presidenti Donald Trump pritet të udhëheqë ceremonitë e nënshkrimit të marrëveshjeve historike diplomatike mes Izraelit dhe dy vendeve arabe të Gjirit që mund të paralajmërojnë një ndryshim dramatik në dinamikat e Lindjes së Mesme dhe t’i japin atij një shtysë përpara për zgjedhjet e nëntorit.

Në një ceremoni të martën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump do të presë më shumë se 700 mysafirë të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, raporton VOA.

Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë se ky rast do të theksojë aftësitë e zotit Trump si paqebërës në kulmin e fushatës së tij për rizgjedhje.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrat e Jashtëm të Emirateve dhe Bahreinit do të nënshkruajnë marrëveshjet para të pranishmëve, mes të cilëve përfaqësues nga trupi diplomatik në Uashington, por edhe personalitete të tjera nga përtej oqeanit. Në ceremoni janë ftuar edhe disa demokratë të Kongresit, të cilët kanë ofruar mbështetje në heshtje për këto marrëveshje.

Përveç marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara dhe Bahreini, përfaqësuesit e të tre vendeve do të nënshkruajnë një dokument trepalësh, thanë zyrtarët. Marrëveshjet janë quajtur “Marrëveshjet e Abrahamit” për nder të patriarkut të tre feve kryesore monoteiste të botës. Presidenti Trump pritet të nënshkruajë si dëshmitar. Marrëveshjet nuk u japin fund luftërave aktive, por zyrtarizojnë normalizimin e marrëdhënieve tashmë të ngrohta të shtetit hebre me të dy vendet. Ndërsa nuk trajtojnë konfliktin e gjatë izraelo-palestinez, ato mund t’i hapin rrugën një afrimi më të gjerë arabo-izraelit pas dekadash armiqësie.

Skeptikët, përfshirë shumë vëzhgues të Lindjes së Mesme, mes tyre analistë, ekspertë dhe ish-zyrtarë, kanë shprehur dyshime në lidhje me ndikimin e marrëveshjeve. Ata thonë se marrëveshjet injorojnë palestinezët, të cilët i kanë refuzuar ato, duke i cilësuar si një thikë pas shpinë nga vendet e tyre partnere arabe.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i Presidentit Trump, tha se ai mbështet qëndrimet që më shumë vende të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin si përgjigje ndaj një pyetje të bërë se fundmi nga Zëri i Amerikës, por ai shtoi se beson se “Izraeli duhet të jetë i përgatitur të punojë drejt një zgjidhje të sinqertë, me dy shtete” me palestinezët.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*