‘Në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës’/ Kuvendi miraton rezolutën prej 10 pikash

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi, për “unitet politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”.

Pas një debati të gjatë në Kuvend, rezoluta mori përkrahjen e 61 deputetëve.

Në projekt rezolutën përfshiheshin dhjetë pikat, ndër të cilat thuhej se rikujtohet se Kosova ishte viktimë e Serbia agresori e se duhet të gjendet zgjidhje e shpejtë për çështjen e të pagjeturve.

Po ashtu aty thuhet se Kuvendi ia kujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20-vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, teksa Kuvendi përsërit thirrjen për drejtësi të plotë.

Ky është teksti i plotë 10 pikësh i rezolutës:

REZOLUTË PËR UNITETIN POLITIK E QYTETAR NË MBROJTJE TË VLERAVE TË POPULLIT TË KOSOVËS

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson faktin se në Kosovë shteti serb ka kryer spastrim etnik, duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë mbi 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza; si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës.
  2. Kuvendi i Republikës e Kosovës kërkon që domosdoshmërisht të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë e çështjes së të pagjeturve, të cilët janë zhdukur si rezultat i veprimeve agresore të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës.
  3. Kuvendi i Republikës së Kosovës ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20 vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, si dhe qasjen e vazhdueshme refuzuese të Republikës së Serbisë ndaj këtyre kërkesave. Kuvendi i Republikës së Kosovës ri-përsërit thirrjen për drejtësi të plotë dhe vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimit të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës. Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë, dhe si privim ndërkombëtar i kërkesave dhe veprimeve për ndëshkimin e kriminelëve të shtetit serb që kryen krime çnjerëzore në Kosovë.
  4. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton qasjen selektive ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë, duke mbrojtur agresorin dhe duke gjykuar viktimën, si dhe sjell në vëmendje rastet e inskenuara të Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës, siç është rasti i njohur si “Panda”, dhe shumë raste tjera të ngjashme. Kuvendi i Republikës së Kosovës rikujton sakrificat e mëdha të popullit të Kosovës, të brezave të tërë, për liri dhe pavarësi, dhe i konsideron të papranueshme tentimet e shtetit serb që me fabrikime të përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës.
  5. Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e gatshme për ta vërtetuar drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është edhe sot e gatshme ta bëjë të njëjtën gjë me Dhomat e Specializuara. Pastërtia e luftës së UÇK-së është vërtetuar disa herë në proceset e zhvilluara nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, siç janë UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, EULEX-i dhe drejtësia vendore.
  6. Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi sakrificën e popullit të Kosovës, të drejtën e saj legjitime për pavarësi dhe vetëvendosje, rezistencën paqësore, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit, bazuar në të drejtën ndërkombëtare të vërtetuar edhe sipas vendimit të GJND-së. Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë dhe ka ndërtuar shtetin, duke respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare në kuptimin më afirmativ përkitazi me të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
  7. Përkundër agresionit serb, qasjes jo bashkëpunuese të Republikës së Serbisë dhe dëmeve njerëzore e materiale të Republikës së Kosovës të shkaktuara nga shteti serb, Republika e Kosovës ka treguar vazhdimisht gatishmëri dhe bashkëpunim, me qëllim të vendosjes së paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë.
  8. Kuvendi i Republikës së Kosovës respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj, dhe që këto Dhoma të jenë fer e të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve.
  9. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
  10. Kuvendi i Republikës së Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar, për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës, duke ritheksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar, që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës, ri-konfirmon përkushtimin për bashkëpunim dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*