‘Marrëveshjet e Abrahamit’/ Trump: Portë drejt zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez

Presidenti Donald Trump kryesoi të martën në Shtëpinë e Bardhë ceremoninë e nënshkrimit të “Marrëveshjeve të Abrahamit”, të cilat normalizojnë marrëdhëniet e Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrenin.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara bisedoi me ekspertë, të cilët thonë se marrëveshjet përfaqësojnë një zhvendosje nga strategjia që Uashingtoni ka ndjekur prej dekadash ndaj rajonit, kur kërkonte nga Izraeli që në shkëmbim të njohjes të ofronte lëshime për paqen me palestinezët përmes zgjidhjes me dy shtete.

Presidenti Donald Trump tha se po shënon “agimin e një Lindjeje të Mesme të re”, ndërkohë që ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrenit si dhe kryeministri izraelit ishin mbledhur në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar “Marrëveshjet e Abrahamit” duke normalizuar marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve të Gjirit Persik dhe Izraelit.

“Në të gjithë historinë e Izraelit, nuk ka pasur dy marrëveshje të tilla. Ne arritëm dy brenda një muaji dhe do të ketë edhe të tjera,” tha Presidenti Trump.

Shtëpia e Bardhë thotë se marrëveshjet janë pagëzuar me emrin e Abrahamit, figura patriarke e judaizmit, islamit dhe krishtërimit, i cili shihet si simbol i origjinës së përbashkët mes këtyre tre feve.

Marrëveshjet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë diplomatike të administratës Trump për t’u bërë presion palestinezëve të pranojnë një marrëveshje për paqe, një strategji që analistët e quajnë “presioni nga jashtë”.

“Nëse të gjitha palët e njohin Izraelin në kufijtë aktualë, kontrollin e tij de facto mbi të gjithë Jeruzalemin, mbi Bregun Perëndimor, madje edhe mbi Rripin e Gazës, kjo do t’i detyronte në një të ardhme palestinezët të pranonin, e thënë ndryshe, nuk do të kishin zgjedhje tjetër veçse të dorëzoheshin para realitet,” thotë analisti Khaled Elgindy.

“Mund ta quani zgjidhje nga porta e pasme, por unë e quaj nga porta e mençur,” tha presidenti.

Të martën në Bregun Perëndimor shpërthyen protesta kundër marrëveshjes. Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh i dënoi marrëveshjet, duke i cilësuar “një ditë të zezë në historinë e kombeve arabe”.

Historikisht, palestinezët mbështeten tek rezistenca e vendeve arabe për të mos njohur Iraelin deri kur të bëjë lëshime në çështjen e krijimit të një shteti palestinez.

Analistët thonë se marrëveshja mes Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrenit dhe Izraelit pasqyron një ndryshim në kalkulimet e fuqive rajonale mbi zgjidhjen me dy shtete:

“Ky është shembull i konsolidimit të disa zhvendosjeve gjeopolitike që kemi parë, që kanë filluar prej dekadash duke demonstruar se vendet e Gjirit Persik dhe Izraeli kanë më shumë të përbashkëta në qëndresën ndaj Iranit se sa tek kundërshtitë në lidhje me aspiratat palestineze për një shtet të tyren,” thotë analisti Will Todman me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ndërkohë që afrojnë zgjedhjet presidenciale, administrata Trump po trumpeton si fitore të politikës së jashtme Marrëveshjet e Abrahamit.

Politika e jashtme nuk është një ndër temat parësore në zgjedhje, ndërkohë që vazhdon pandemia dhe problemet ekonomike të shkaktuara prej saj. Por e ardhmja e Izraelit është e rëndësishme për një grup kyç përkrahësisht për presidentin – të krishterët evangjelistë, të cilët sipas një raporti të organizatës Pew përfaqësuan 1/3 e përkrahësve të zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*