‘Kundër zgjerimit detar të Kinës’/ Aleatët e SHBA-së forcojnë koordinimin politik dhe ushtarak

Zhvendosja e fundit e Australisë në një qëndrim më luftarak kundër Kinës do të forcojë koordinimin politik dhe ushtarak midis vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara që duan të kontrollojnë zgjerimin detar të Pekinit, thanë analistët këtë javë.

Kanberra hoqi dorë nga qëndrimi i saj neutral ndaj Kinës me premtime dhe komente të ashpra në maj, qershor dhe korrik për shkak të një sërë problemesh me qeverinë komuniste, pavarësisht lidhjeve të forta tregtare, raporton VOA.

Në veçanti, Australia haptas mbështeti Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar duke i dërguar Organizatës së Kombeve të Bashkuara një letër në të cilën pretendimet e Pekinit për sovranitet në Detin e Kinës së Jugut kontestohen, duke u quajtur të paligjshme.

Kryeministri Australian Scott Morrison sugjeroi në një fjalim të mërkurën se vendi i tij do të punonte më ngushtë me Indinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, një aleat tashmë aq i ngushtë sa që një gazetë kineze në maj citoi një përdorues interneti duke e quajtur Kanberrën një “qen” të Uashingtonit.

Këto katër vende i përkasin grupit të quajtur Quad, i cili u formua në vitin 2007 për të diskutuar çështjet e sigurisë në Azi, përfshirë aktivitetet e Kinës. Specialistët parashikojnë angazhim më të madh të grupit Quad, këtë herë të nxitur nga Australia, edhe pse Shtetet e Bashkuara normalisht e udhëheqin atë.

“Të paktën nga pikëpamja e australianëve duket se Australia po përpiqet të marrë një rol të rëndësishëm drejtues në vend të një roli pasiv”, tha Stuart Orr, profesor i menaxhimit në Universitetin Deakin në Australi.

‘Veprim konkret’

Të mërkurën, Morrison, duke iu drejtuar një forumi Indo-Paqësor të sigurisë, vuri theksin tek Partneriteti Strategjik Gjithëpërfshirës i qershorit me Indinë. Partneriteti kërkon mbledhje të paktën një herë në dy vjet midis ministrave të mbrojtjes. Kryeministri Morrison shtoi të mërkurën se Australia nënshkruajti një memorandum në korrik me Japoninë pëe bashkëpunim në hapësirë dhe tha se Australia planifikon të ndërmarrë “veprim konkret për të mbështetur miqtë dhe familjen tonë të Paqësorit dhe Azisë Juglindore.” Japonia dhe India kanë problemet e tyre të hidhura territoriale me Kinën.

Qeveritë amerikane dhe australiane kanë bashkëpunuar për dekada në përpjekjet për t’i rezistuar qeverive të huaja që nuk pëlqehen nga Uashingtoni. Tani pala amerikane është përfshirë në një mosmarrëveshje tregtare me Kinën. Të dy vendet perëndimore janë të zemëruara me Kinën për krimet e dyshuara kibernetike dhe dëshirojnë që vendi aziatik të hetohet si burimi i koronavirusit.

Australia propozoi në maj një hetim zyrtar mbi origjinën kineze të pandemisë dhe një muaj më vonë kryeministri Morrison tha se vendi i tij kishte qenë shënjestra e një sulmi kibernetik “shtetëror”. Pekini e quajti akuzën e qershorit një përpjekje për të njollosur Kinën.

Në krahasim me vendet e tjera të shqetësuara nga aktivitetet e Pekinit, “Unë mendoj se Uashingtoni dhe Canberra kanë të njejtin mendim në lidhje me problemet me Kinën,” tha Stephen Nagy, një profesor i shkencave politike dhe studimeve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Krishterë në Tokio.

“Unë mendoj se ata kanë një ndjenjë uniteti shumë më të fortë në lidhje me përballjen me Kinën”, tha ai.

Vendet e grupit Quad nuk kanë pretendime në Detin e Kinës së Jugut, por të gjithë e shohin atë si një pikë të rëndësishme kundër zgjerimit të kufijve tokësorë të Kinës dhe kujtojnë kohën kur Pekini konsiderohej një armik i tyre gjatë Luftës së Ftohtë.

Peshkimi, rezervat e energjisë, rrugët e transportit detar

Kina po lufton për sovranitet e territorit detar të kontestuar me Brunein, Malajzinë, Filipinet, Tajvanin dhe Vietnamin. Këto pesë vende kanë ushtri më të dobët dhe më pak infrastrukturë në qindra ishujt e vegjël në det në krahasim me Kinën. Ato po luftojnë për kontrollin e 3.5 milionë kilometrave katrorë në Detin e Kinës së Jugut të rëndësishme për industrinë e peshkimit, energjisë dhe rrugët e transportit detar.

Zyrtarët në Pekin citojnë të dhënat historike të përdorimit zonës për të mbrojtur pretendimet e tyre në mbi rreth 90 për qind të detit.

“Kina së paku do të duhet të jetë më e kujdesshme dhe më e shqetësuar për Australinë dhe Shtetet e Bashkuara që po udhëheqin një përpjekje, që ata e përceptojnë si ndërhyrje të padëshirueshme në

Detin e Kinës së Jugut”, tha Collin Koh, një studiues i sigurisë detare në Universitetin Teknologjik të Nanjangut në Singapor.

India mund të shpresojë në forcimin e grupit Quad mes tensioneve të saj ushtarake me Kinën pranë një kufiri të debatueshëm tokësor, sugjeroi organizata mediatike nga Londra, India Inc. në një shkrim editorial pas takimit të kryeministrit Morrison me homologun e tij indian Narendra Modi.

Roli udhëheqës i Australisë në Quad mund të nënkuptojë më shumë manovra të përbashkëta detare që zemërojnë Kinën, thonë studiuesit.

Japonia dhe Australia morën pjesë në një stërvitje të përbashkët me forcat amerikane të aeroplanmbajtëses USS Ronald Reagan në juglindje të Kinës.

Stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë do të merrnin hov, veçanërisht nëse në këto stërvitje marrin pjesë edhe Japonia, India dhe aleatët evropianë si Franca dhe Britania e Madhe, tha Carl Thayer, profesor i çështjeve të Azisë Juglindore në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Australi.

‘Pikëpamja morale’

Vendet e Azisë Juglindore, pavarësisht pretendimeve të ngjashme territoriale me Pekinin në Detin e Kinës së Jugut, kanë treguar më pak entuziazëm se sa vendet e grupit Quad ndaj angazhimit të ri të Australisë. Disa vende, si Brunei dhe Filipinet, marrin ndihmë dhe investime nga Kina. Blloku i tyre negociues, Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore shpreson të arrijë një marrëveshje mbi angazhimin në çështjet detare me Pekinin.

Megjithatë, ata mirëpresin aktivitetet e grupit Quad nga një “pikëpamje morale”, tha zoti Koh.

Australia dhe Vietnami, pretenduesit më të zëshëm të territoreve detare, lëshuan një deklaratë të përbashkët vitin e kaluar për të shprehur “shqetësime serioze në lidhje me zhvillimet në Detin e Kinës së Jugut, përfshirë pushtimin e ishujve dhe militarizimin e zonave të debatueshme”, një referencë e mundshme për aktivitetin kinez.

Duhet të presim një rritje të angazhimit të Australisë me Vietnamin, tha analisti Thayer.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*