Dialogu me Serbinë/ Pompeo, Hotit: Vazhdojmë ta mbështesim Kosovën   

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e pengesave për bisedimet me Serbinë dhe ka porositur që Kosova të jetë e gatshme “të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme”.

Kështu thuhet në telegramin e urimit që Sekretari Pompeo i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e zgjedhjes së këtij të fundit në këtë pozitë, raporton Rel.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme”, thuhet në telegramin që Pompeo i ka dërguar Hotit.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim është thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në fund të vitit 2018 ky proces u ndërpre, për shkak se Qeveria e Kosovës kishte vendosur një taksë ndaj produkteve serbe.

Taksa prej 100 për qind më pas u zëvendësua me masat e reciprocitetit, të cilat më 6 qershor i shfuqizoi qeveria e Avdullah Hotit, për siç u tha, për t’i dhënë mundësi rinisjes së dialogut.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*