Bisedimet Kosovë-Serbi/ Franca dhe Gjermania shtyjnë takimin e Brukselit

Gjermania dhe Franca, përmes një deklarate të përbashkët,kanë konfirmuar se është shtyrë takimi në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në deklaratë thuhet se palët do të bisedojnë në mënyrë virtuale të dielën, ndërsa ballë për ballë do të takohen në Bruksel, më 16 korrik, raporton Rel.

“Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel i kanë inkurajuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti, të bëjnë përparim thelbësor në dialog gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në deklaratën e përbashkët franko-gjermane.

Krahas kërkesës për përparim në dialog, Merkel dhe Macron kanë shprehur gatishmërinë për të mbajtur një samit tjetër më vonë gjatë procesit të dialogut.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por gjithashtu ka një rëndësi të madhe për perspektivën e të dy vendeve për t’u anëtarësuar në BE”, thuhet në deklaratë.

Samiti i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Franca dhe Gjermania me udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë, u zhvillua virtualisht të premten dhe kjo shënon vazhdimin e dialogut të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u ndërpre në fund të vitit 2018.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në këtë samit tha se dialogu nuk ka alternativë, por shtoi se ky proces duhet të ketë afate të qarta kohore.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të barabartë”, tha Hoti.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se video-samiti ka qenë i vështirë dhe se Serbia është e vetmja me qëndrime të ndryshme.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*