Astronautët e NASA-s drejt kthimit në Tokë

Dy astronautët e NASA-s që udhëtuan për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me mjetin e ri fluturues Crew Dragon të kompanisë SpaceX, janë duke u kthyer për në Tokë, pas një qëndrimi prej dy muajsh në orbitë.

Kapsula me astronautët do të bjerë me parashutë në Gjirin e Meksikës, duke i dhënë fund një udhëtimi që shënoi misionin e parë pas nëntë vitesh të NASA-s për dërgimin e astronautëve në stacionin orbital, raporton VOA.

Kapsula e misionit Endeavour me astronautët amerikanë Bob Behnken dhe Doug Hurley u shkëput nga stacioni orbital të shtunën mbrëma për t’u ulur pranë brigjeve të Floridës të dielën pasdite.

Kjo është procedura e parë e këtij lloji me një kapsulë hapësinore të ndërtuar nga një kompani private.

“Ishin dy muaj të shkëlqyer dhe ne vlerësojmë gjithçka që ju bëtë si ekuipazh për të na ndihmuar të provojmë aftësitë e Dragonit në fluturimin e tij të parë me njerëz,” i tha astronauti Hurley anëtarit amerikan të ekuipazhit të mbetur në stacion, Chris Cassidy, para largimit.

NASA dhe SpaceX, që monitoronin kthimin e ekuipazhit, e përjashtuan opsionin që kapsula të ulej në oqean në fillim të javës së kaluar, për shkak të stuhisë tropikale Isaias, e cila tashmë është zbutur.

Me uljen e së dielës në Atlantik, anija do të provojë se është në gjendje të transportojë me sukses astronautët për në hapësirë dhe t’i kthejë ata në Tokë. Këtë udhëtim kompania SpaceX e ka realizuar dhjetëra herë me ngarkesë por kurrë më parë me njerëz në bord.

“Pjesa më e vështirë ishte të na çonte në stacion, por më e rëndësishmja është të na kthejë në Tokë,” tha Behnken gjatë ceremonisë së lamtumirës të shtunën në stacionin hapësinor.

Më 31 maj, SpaceX e sipërmarrësit miliarder Elon Musk, u bë e para kompani private që dërgon njerëzit në orbitë.

Zyrtarët e NASA-s kanë thënë se kapsula Crew Dragon, që mund të mbajë deri në shtatë astronautë, ka qenë në gjendje mjaft të mirë që nga lëshimi drejt stacionit hapësinor, ku astronautët kanë kryer testime dhe monitorime të funksionimit të saj gjatë kohës që ajo rrinte në pritje, e ankoruar në stacion.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*