Amerikanët heqin embargon e armëve me Qipron/ Reagon ministria e Jashtme turke: Përshkallëzim i rrezikshëm

Fryhet lista e konflikteve mes SHBA-së dhe Turqisë/ Amerikanët heqin embargon e armëve me Qipron

Turqia ka paralajmëruar se lëvizjet e Shteteve të Bashkuara në drejtim të heqjes së embargos disa vjeçare të armëve ndaj Qipros, do të shënonin një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Kongresi amerikan votoi të martën për t’i dhënë fund embargos në ishull, e cila u vendos më 1987, për të shmangur një garë armësh dhe për të inkurajuar zgjidhjen e konfliktit, raporton Rel.

Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili e ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro dhe rajonin separatist të Qipros turke.

Qiproja turke njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Vendimi i SHBA-së “nuk do të ketë rezultat tjetër, përveç se pengon përpjekjet, për një zgjidhje në ishull si dhe krijon një përshkallëzim të rrezikshëm”, tha ministria e Jashtme turke përmes një deklarate.

Masa e SHBA-së u miratua si pjesë e një projekt-ligji të madh të shpenzimeve për mbrojtjen që kaloi në të dy dhomat e Kongresit amerikan.

Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit janë në një nga pikat më të ulëta në historinë e fundit.

Janë disa çështje që shkaktojnë tensione, përfshirë mbështetjen e SHBA-së për një milicë kurde siriane, e cila nga Turqia konsiderohet terroriste si dhe blerjen e sistemit të raketave S-400 ruse nga Ankaraja.

SHBA-ja ka kërcënuar me sanksione të mëtejshme për shkak të marrëveshjes ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.

Ministria e jashtme turke u zotua t’i përgjigjet “nismave kundër Turqisë”, duke thënë se “gjuha e kërcënimeve dhe sanksioneve kurrë nuk do ta shkëpusë Turqinë të ndërmarrë hapa me vendosmëri për të siguruar sigurinë e saj kombëtare”.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*