Agjentët e huaj/ Putin miraton amendamentet e ligjit, gjoba deri në 5 milionë rubla

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi amendamentet në Kodin e Shkeljeve Administrative, që parashohin gjoba të mëdha për shkelje të ligjit për “agjentët e huaj”.

Sipas amendamenteve, individët që shkelin ligjin më shumë se dy herë brenda 12 muajsh, do të duhet të paguajnë gjobë deri në 10,000 rubla (159 dollarë) për shkeljen e parë dhe deri në 100,000 rubla (1,590 dollarë) ose 15 ditë burgim për përsëritjen e shkeljeve, raporton Rel.

Organizatat do të obligohen të paguajnë gjobë deri në 1 milion rubla (15,900 dollarë) për shkeljen e parë dhe deri në 5 milionë rubla (79,500 dollarë) për shkelje të vazhdueshme të ligjit.

Amendamentet u miratuan nga ligjvënësit rusë në fillim të këtij muaji.

Dy javë më herët, Putin nënshkroi edhe ligjin që u jep autoriteteve fuqinë për t’i etiketuar si agjentë të huaj gazetarët që punojnë për organizatat që janë zyrtarisht të listuara si agjente të huaja.

Etiketimi do të aplikohet për individët që bashkëpunojnë me media të huaja dhe marrin financa apo mbështetje tjetër materiale prej tyre.

Zyrtarët rusë thonë se ligji është një “përgjigje simetrike”, pasi kanalit të financuar nga shteti rus RT – të cilin autoritetet amerikane e akuzojnë për përhapje të propagandës – i është kërkuar të regjistrojë njësinë e tij operative në SHBA nën Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së.

Kritikët thonë se këto masa mund të shfrytëzohen për të kufizuar lajmet dhe për të shkurajuar shkëmbimin e lirë të ideve.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*