Vdes papritur presidenti që do pensionohej në luks

Presidenti i Burundit vdiq nga arresti kardiak në moshën 55-vjeçare. Lajmin e konfirmoi qeveria e këtij vendi.

Pierre Nkurunziza ishte shtruar në spital të shtunën pasi nuk ndjehej mirë. Gjendja e tij u përmirësua, por të hënën pësoi një arrest kardiak.

Nkurunziza pritej të largohej nga presidenca në gusht të këtij viti. Ai drejtonte vendin e varfër afrikan prej 15 vitesh.

Në vitin 2015, kur shpalli se do garonte për një mandat të tretë, vendi u zhyt në kaos. Vendimi solli zemërim, pasi njerëzit nisën të vënë në diskutim ligjshmërinë e një mandati të tretë.

Pati edhe një grusht të dështuar shteti dhe qindra njerëz vdiqën nga përplasjet. Dhjetëra-mijëra brakisën vendin.

Pas ndryshimeve në Kushtetutë, ai mund të garonte edhe për një mandat të katërt, por vendosi të dalë në pension dhe të njihet në vend si ‘guida supreme e patriotizmit’.

Ai do merrte edhe një pagesë prej 540 mijë dollarësh si pension dhe një vilë luksoze.

Nkurunziza erdhi në pushtet në vitin 2005 pas një lufte civile, ku vdiqën 300 mijë njerëz.

Ish-lideri rebel krenohej për faktin se administrata e tij solli paqe në Burundi. Por qeverisja e tij kritikohej për shkelje të të drejtave të njeriut.

Së fundmi thuhej se gruaja e tij ishte me koronavirus, një sëmundje që injorohej nga presidenti. Ai madje kishte shpallur mbajtjen e zgjedhjeve në mes të epidemisë dhe kishte dëbuar përfaqësuesit e OBSH nga vendi.

Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie./ Marrë nga Syri.net

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*