Negociatat e paqes me talibanët në rrugën e duhur, Trump besim plotë në arritjen e marrëveshjes

Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se negociatat për paqe me talebanët në Afganistan, janë përsëri në rrugën e duhur dhe u zotua përsëri për të tërhequr trupat amerikane nga vendi.

“Ju e dini që po tërhiqemi nga Afganistan. Po punojmë tani për një marrëveshje me Talibanin. Le të shohim se çfarë do të ndodh”, i tha Presidenti Trump të premten kanalit Fox News në një telefonatë në programin” Fox and Friends”.

Ai nuk dha hollësi të mëtejshme, raporton VOA.

Komentet e Presidentit Trump pasuan shkëmbimin e suksesshëm të të burgosurve të së hënës, që çoi në lirimin e një amerikani dhe një profesori australian në këmbim të lirimit të tre të burgosurve kryengritës të rangut të lartë nga qeveria afgane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Talebanët liruan gjithashtu 10 ushtarë afganë si një “gjest të vullnetit të mirë”.

U mendua gjerësisht se lirimi i amerikanit Kevin King dhe australianit Timothy Weeks, i cili ishte mbajtur peng që nga gushti i vitit 2016, mund të çojë në një rifillim të negociatave SHBA-Taliban.

“Le të shpresojmë se kjo çon në më shumë gjëra të mira në frontin e paqes si armëpushimi, që do të ndihmojë në përfundimin e kësaj lufte të gjatë,” tha Presidenti Trump të martën në Twitter ndërsa vlerësoi lirimin e pengjeve perëndimore.

Nuk ka pasur asnjë reagim të menjëhershëm nga Talibanët nëse bisedimet e tyre të ngecura me SHBA kanë rifilluar.

Trump papritmas e ndërpreu dialogun njëvjeçar në fillim të shtatorit, duke përmendur një varg sulmesh talibane në Kabul që vranë mes të tjerëve një ushtar amerikan. Trump mbrojti vendimin e tij të premten. “Herën e fundit që supozohej të kisha një marrëveshje, ata (Talibanët) menduan se do të ishte mirë të vrisnin njerëz në mënyrë që të mund të negocionin nga një pozitë e fortë,” shpjegoi Presidenti Trump.

Në kohën kur Uashingtoni ndërpreu bisedimet me talebanët, të dy kundërshtarët në luftën 18-vjeçare afgane ishin pranë nënshkrimit të një marrëveshje për të vendosur fazën për një tërheqje ushtarake amerikane në këmbim të garancive kundër terrorizmit dhe angazhimeve për të hyrë në në bisedime paqeje ndër-afgane.

Kryenegociatori amerikan për bisedimet e paqes, Zalmay Khalilzad, tha të premten se kishte shpresë se shkëmbimi i të burgosurve do të çonte në “një ulje të dhunës dhe përparim të shpejtë” drejt një zgjidhjeje politike që përfshin qeverinë afgane, talebanët dhe udhëheqësit e tjerë afganë.

“Është viti që populli afgan të arrijë paqe dhe siguri, dhe ne qëndrojmë me ta,” tha në Twitter diplomati amerikan me origjinë afgane.

Sidoqoftë, zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen në fillim të kësaj jave hodhi poshtë si njoftime të pavërteta se grupi i tij kishte pranuar të fillonte negociata të drejtpërdrejta me qeverinë afgane në vazhdën e shkëmbimit të suksesshëm të të burgosurve.

Talibanët vazhdimisht kundërshtojnë çdo bisedim paqeje me administratën e Kabulit, duke e hedhur poshtë atë si një qeveri kukull amerikane.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*