63 të infektuar dhe asnjë viktimë nga COVID-19 në Kosovë  

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka raportuar të enjten për 63 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 592 mostrave.

Sipas këtij Instituti, përgjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë si pasojë e këtij virusi.

Autoritetet shëndetësore kanë raportuar më 24 shtator për 87 persona që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive janë edhe 1,730.

Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, IKSHPK-ja ka raportuar për 15,333 të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar po këtë ditë se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 196 pacientë, prej tyre 110 janë të prekur me koronavirus.

Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se tre pacientë janë në respiratorë, tetë janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 118 pacientë të tjerë janë në oksigjenoterapi.

Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale./ Rel/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*