z

Autori i sulmit terrorist në Londër ishte dënuar më parë për terrorizëm

Britania është përfshirë nga debatet politike pas njoftimeve se autori i sulmit me thikë një ditë më parë në urën e Londrës ishte liruar nga burgu pas një dënimi për akte të lidhura me terrorizmin.

Debatet vijnë ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 12 dhjetor, sipas VOA.

Njëzet e tetë vjeçari britanik Usman Khan vrau dy persona përpara se të vritej nga policia.

Disa kalimtarë të rastit u përpoqën t’i heqin thikën nga dora duke e mbajtur atë të bllokuar në tokë. Ai u qëllua më pas për vdekje nga policia. Sulmuesi mbante veshur një jelek që rezultoi të ishte një pajisje e rreme eksplozive.

Kryeministri Boris Johnson e cilësoi sulmin terrorist dhe premtoi t’i japë fund praktikës që mundëson lirimin më herët nga burgu të atyre që kryejnë krime serioze, një çështje e cila ka shkaktuar kritika nga ana e opozitës.

Usman Khan, familja e të cilit është me origjinë nga pjesa e Kashmirit që kontrollohet nga Pakistani, ishte dënuar në vitin 2012 lidhur me rolin e tij në një komplot për të hedhur në erë Bursën e Londrës të frymëzuar nga Al-Kaida. Në dhjetor të vitit 2018 ai u lirua me kusht.

Gjatë sulmit të një dite më parë në urën e Londrës u vranë dy persona, një burrë dhe një grua ndërkohë tre të tjerë ndodhen të plagosur në spital.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe kanë kontrolluar një banese në Stafford një qytet në pjesën qendrore të Anglisë.

Partia Laburiste në opozitë kritikoi qeverinë lidhur me shifrat rekord të krimit sipas saj.

Leave a Reply