Antimafia sekuestron 3 milionë euro pasuri

4 Dhjetor 2016

 

Disa pasuri të paluajtshme në Tiranë e Durrës, në vlerë mbi 3 milion euro, u konfiskuan dhe kalojnë në favor të shtetit, pasi Prokuroria për Krime të Rënda provoi para gjykatës se shtetasi Fatmir Muçaj i kishte siguruar këto prona nga të ardhurat e aktivitetit të tij kriminal në Zvicër.

34 –vjecari ishte dënuar më parë  për “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Vjedhje me dhunë”, në vitin 1997 në Zvicër.

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi të kalojë në llogari të shtetit, pasuritë e paluajtshme në emër të Fatmir Muçaj dhe familjarëve të tij të ngushtë, si më poshtë:

  1. 4 parcela “tokë arë” në Sauk, Tiranë, me sip.totale 14.600 m2
  2. 2 parcela “tokë arë” në Gjirin e Lalëzit, Durrës, me sip.totale 2250 m2
  3. 4 parcela “tokë arë” në Marikaj, Durrës, me sip.totale 4000 m2
  4. 2 apartamente në Tiranë, (në zonën e ish-“21 Dhjetorit” dhe rr.Muhamet Gjollesha”), me sip.totale 165 m2
  5. dyqane në zonën e Yzberishtit, Tiranë, me sip.totale 140 m2

Hetimi për këtë rast është zhvilluar fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, pas referimit të materialit nga ana e Drejtoria e Policisë, në vitin 2015. Pas veprimeve paraprake të kryera nga ana e Prokurorisë së Tiranës, çështja i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”.

Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Fatmir Muçaj dhe familjarët e tij, Ervehe Muçaj dhe Liljana Thomai kanë në pronësi të tyre prona të paluajtshme, të cilat nuk i justifikojnë me të ardhura të ligjshme.

Gjatë gjykimit, Prokuroria ka argumentuar se pasuritë e paluajtshme janë krijuar nga burime financare të paligjshme, të krijuara nga Fatmir Muçaj, gjatë aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve në mesin e viteve ’90.

Sipas hetimeve të kryera, ka rezultuar se shtetasi Fatmir Mucaj, lindur ne Berat dhe banues në Tirane është marrë me trafik të lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe për këtë aktivitet ai është proceduar nga autoritetet gjyqësore zviceriane.

Gjatë këtij gjykimi, shtetasi Muçaj pretendoi se të ardhurat e tij ishin të ligjshme. Sipas tij, ai ka jetuar si emigrant në Greqi, ku ka pësuar një incident në sy, për të cilin është kompensuar me 30 milionë dhrami. Sipas tij, ky dëmshpërblim mjekësor ka shërbyer si bazë fillestare financiare për krijimin e pasurive të paluajtshme ndër vite. Gjithashti, ai ka pretenduar se ka marrë edhe disa kredi financiare, të cilat janë investuar në prona të paluajtshme.

Por, nga hetimi rezultoi se Fatmir Muçaj nuk posedonte dokumentacionin për të vërtetëtuar pretendimet e tij.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi konfiskimin e pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të tij dhe të familjarëve të tij, në zbatim të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi që pronat e paluajtshme të sipërcituara, të regjistruara në emër të familjarëve Muçaj, të kalojnë në favor të shtetit. Informon Lapsi.al

www.aliiss.org

Leave a Reply