Ministrja Kodheli prezanton buxhetin e Mbrojtjes në Kuvend

4 Dhjetor 2016

kodheli interperlance

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli prezantoi para deputetëve projekt – buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2017, për të cilin u shpreh se përmbush të gjitha nevojat dhe detyrimet për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, që nga pjesëmarrja në misionet jashtë vendit, te stërvitjet brenda dhe jashtë vendit, te angazhimi në emergjencat civile, te pastrimi i hot-spoteve, te përmirësimi i mëtejshëm i kushteve të ushtarakëve dhe rritja e dinjitetit të figurës së tyre.

Siç edhe nënvizoi ministrja Kodheli, një pjesë e mirë e këtij projekt – buxheti shkon për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, informon MM.

Fjala e ministres Kodheli në Kuvend për prezantimin e projekt – buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2017

Të nderuar kolegë,

Diskutimin tim të sotëm mbi projekt – buxhetin e vitit 2017 do doja ta bëja nisur nga një këndvështrim i ndryshëm prej diskursit klasik parlamentar, ku pala qeverisëse lëvdon dhe pala opozitare kundërshton, me apo pa argumente politike apo shifrore.

Në qeverisjen e mëparshme, sa më hiperbolike të ishte premtimi apo shifra si (p.sh. të dytët pas Gjermanisë), aq më mbresëlënës tek qytetarët mendohej të ishte diskutimi në foltoren e Parlamentit. Dhe t’ju them të drejtën shpesh herë keni ditur ta bëni mirë këtë gjë, pasi keni zbatuar parimin “sa më e madhe e pavërteta, aq më e besueshme”. Por ajo çka harrohej qëllimisht në diskutimet e radhës për buxhetin, llogaridhënie të cilës i jeni larguar si “djalli temjanit” ishte se, ku, si dhe për çfarë, ishin harxhuar këto para, pavarësisht përqindjeve në raport me PBB. Sot rrihni me grusht tavolinat, gjuani me letra publike se ju dhemb për Buxhetin e Mbrojtjes. Shumë mirë bëni! Por a e dini ju zotërinj si janë menaxhuar financat e Ministrisë së Mbrojtjes dikur?

A jo! Ju, kur ishit në pushtet, nuk keni lejuar as anëtarët opozitarë të Komisionit të Sigurisë të futeshin as deri tek oborri i Ministrisë së Mbrojtjes për të marrë ndonjë informacion më shumë se ç’bëhej me aktivitetin e ministrisë, megjithëse ata ishin në të drejtën e tyre kushtetuese. Mbase asokohe nuk e shihnit të arsyeshme fare të diskutonit me ligjvënësit, pasi jam e sigurt që e kishit konsultuar me Institucionin e Presidentit, buxhetin më parë. Pyes në mënyrë retorike sot, qytetarët e vendit tim, nëse e dinë se për çfarë kanë shkuar shumë nga paratë e taksave të tyre në atë kohë, ku rrihej gjoksi se “mbi 1% e PBB shkonte për Mbrojtjen?” Po ju jap pak shembuj të përzgjedhur rëndom, pasi dua vetëm të krijohet ideja e të rikthehet në memorien e shumëkujt që e ka harruar, por në fakt dua t’i mbetem pak më pas diskutimit vetëm të buxhetit 2017. Do të jenë vetëm pak shembuj sepse nuk është e nevojshme që të pish të gjithë ujin e detit për ta kuptuar që është i kripur.
• 1,2 milion euro për një koncert të vetëm;
• 1,6 milion euro për një aparat përgjimi (për të cilën ushtria s’kishte nevojë dhe as detyrim dhe ishte në shkelje të Kushtetutës);
• 2,5 milion euro për rikonstruksionin e një sheshi brenda garnizonit, kur ndërtesat aq më pak repartet ushtarake nuk kishin as bojë e jo me rikonstruksion, që para viteve ‘90.
• 1,5 milion euro për të bërë plot tre herë rikonstruksionin e një ndërtese, gjithmonë brenda garnizonit kjo, që nuk shfrytëzohet as sot, sepse dhe sot MM është hedhur në gjyq me të drejtë nga firma ndërtuese e fundit në radhë dhe lekët kanë shkuar në drejtim të paditur.

Dhe në fund shumë e shumë miliona të harxhuara pa plan, pa kërkesë operacionale. Dhe, megjithëse janë harxhuar kaq para, MM trashëgoi plot 16 milionë euro borxhe, fatura të papaguara që nga 2008; zero litra naftë për anijet e Rojes Bregdetare tre muaj para se të mbyllej viti 2013, që do të thotë gatishmëria zero në ruajtje të kufijve tanë detarë të Republikës së Shqipërisë, apo qindra ushtarakë dhe civilë të futur në punë në muajt e fundit të vitit elektoral me sigurime shoqërore të papaguara, e sa e sa kusure të tjera.

Por unë them të shikojmë përpara.

Dhe ja ku vij tek komenti im mbi atë për çka diskutojmë sot: Projekt-buxhetin e vitit 2017, i cili është:

Buxheti i Rritjes Ekonomike: 3,8%

Shumë vende të Europës do ta dëshironin dhe ëndërronin shumë. Pozitiv është fakti se burimet kryesore të cilat do të gjenerojnë këtë rritje parashikohet të jenë investimet dhe konsumi privat. Niveli i lartë i investimeve publike i parashikuar për vitin 2017 në masën 5% të PBB, pritet të jetë një faktor i rëndësishëm dhe kryesor i rritjes ekonomike. Ky buxhet është buxheti i reformave, janë plot 20 miliardë lekë për akomodimin e këtyre reformave: ajo në drejtësi, në administratën publike, e pensioneve, e decentralizimit dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ajo e ujit.

Buxheti i Konsolidimit Fiskal. Borxhi do te ulet nga 71,8% në 69,1% të PBB. Nuk ka ndodhur në asnjë vit elektoral që shpenzimet për aktivitet e qeverisë të jenë më të ulëta se sa të ardhurat buxhetore. Kjo do të ndodhë në vitin elektoral 2017.

Ky është Buxheti i Rritjes së Pagave dhe Pensioneve: për herë të parë programohen rreth 100 milion dollarë rritje pagash e pensionesh në një vit të vetëm, fondi më i madh i akorduar brenda një buxheti në këto 25 vitet e fundit, rritje nga e cila do të përfitojnë 600.000 pensionistë dhe 110.000 punonjës të administratës publike, dhe kjo pa marrë para borxh dhe pa privatizuar ndonjë ndërtesë historike në Tiranë. Dhe meqenëse jemi tek kjo pikë, FA do të mund të përfitojnë plot 230 milion lekë të reja nga kjo rritje, pas më shumë se 12 vitesh stanjacion në pagat e tyre. Ndërkohë kemi falur detyrimin e llogaritur gabim për mbi 5000 ish-ushtarakë, të cilëve në shumën 1 milard lekë do t’i kthehet, ky i presupozuar llogaritje gabim e pensioneve të tyre.

Buxheti i vitit 2017 është:

Buxheti i investimeve publike: E përsëris 5% e PBB: Investimet publike do të vazhdojnë të mbështesin sektorët kyç të ekonomisë: arsim, shëndetësi, bujqësi, transport, përkujdesje sociale, rend dhe siguri. Dhe meqenëse jemi tek rendi dhe siguria, disa fjalë për procesin dhe objektivat tona si MM, të mbështetura nga buxheti i akorduar.

Me gjithë rezultatet e shkëlqyera në përmbushjen e misionit kushtetues dhe detyrimet që FA kanë në mbështetje të popullsisë dhe në përmbushje të detyrimeve në kuadër të Aleancës programi i ri qeverisës në fushën e Mbrojtjes përmban objektiva akoma më ambiciozë. Mjedisi kompleks i sigurisë ka sfiduar dhe paraqitet si një kërcënim për vlerat që vendi ynë përfaqëson dhe vendeve të demokracive perëndimore. Përballja me sulmet terroriste, ekstremizmi, refugjatët, emergjencat civile, kërcënimet hibride dhe konvencionale në Lindje dhe në Jug të Aleancës kërkojnë tejkalim të problematikave dhe përgatitje edhe reformime akoma dhe më të thella të FA, duke ndërmarrë veprime të cilat ky buxhet mund të na i mundësojë plotësisht, madje diku, diku, me tejkalime të angazhimeve tona NATO të përcaktuara më parë.

Pa dashur të bëj leksion mbi përmbajtjen e buxhetit, por diktuar nga nevoja për të shpjeguar disa gjëra, duke ju kërkuar ndjesë për këtë qasje, më lejoni që në mënyrë të thjeshtë, sidomos për publikun, të them se buxheti i një institucioni është shuma e parave që vihen në dispozicion të tij për të kryer funksionet dhe misionin e përcaktuar. Angazhimi i vendit tonë në Aleancë si dhe angazhimi e kontributi ynë në këtë organizëm janë vlerësuar prej Aleancës dhe ky vlerësim është shpërblyer përveç të tjerash dhe në mbështetjen teknike dhe logjistike për FA. Kjo e ka ulur dukshëm nevojën për para, për shkak se një pjesë të nevojave për modernizimin e FA plotësohen pikërisht nga kjo mbështetje e aleatëve tanë, para, të cilat nëse do të duheshin të përdoreshin do të vinin nga taksapaguesit shqiptarë dhe do t’i kushtonin këtyre taksapaguesve plot 3,7 miliard lekë ose 28 milion dollarë. Kjo në fakt do të kënaqte aritmetikën e cilitdo personi të shqetësuar me të drejtë, pasi e ngre nivelin e buxhetit tonë në fakt në raport me GDB në masën 0,99 %, para këto që në kushte të tjera do të paguheshin, e ritheksoj, nga taksapaguesit vendas, nëse do të përballoheshin nga buxheti.

Në këto rrethana qeveria ka preferuar që këto para, pa cenuar misionin kushtetues të FA, t’i përdorë për arsim, shëndetësi. luftën kundër krimit të organizuar, bujqësi, rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe fusha të tjera prioritare. Përtej kësaj, me këtë buxhet, ne do të mund të sigurojmë:

• Rritje të mëtejshme të reputacionit të spikatur ndërkombëtar të MM dhe FARSH:
• Nivelin e kërkuar operacional për 23 formacionet luftarake;
• Pjesëmarrje në misionet e NATO, duke rritur nivelin e angazhimit të FA: dyfish të prezencës ushtarake në RSM Afganistan dhe KFOR;
• Prezencë në misionin detar në detin Egje, pa pasur frikë se na mungon karburanti në fund të muajit apo vitit;
• Prezencën në 2 misionet e BE, BH dhe Mali;
• Prezencë në Grup – Batalionin e Ndërhyrjes Shumë të Shpejtë në Letoni;
• Pjesëmarrje në stërvitje të përbashkëta në kuadër të mbrojtjes kolektive
• Operacione në ndihmë të popullsisë në rast emergjencash dhe ato SAR;
• Operacione në pastrim hot-spotesh dhe ato të rritjes së sigurisë së mjediseve ushtarake;
• Përmirësim të mëtejshëm të kushteve të ushtarakëve dhe rritje të dinjitetit të figurës së tyre;
• Pajisje e gjithë FA me armatim të lehtë të standardeve të NATO, angazhim ky për t’u plotësuar në fund të vitin 2019, si edhe plotësim i të gjithë nevojave për mjete transporti të rëndë, angazhim ky për t’u plotësuar brenda vitin 2025.
• Pajisje harduerike dhe softuerike për sistemet e komunikimit në FA dhe implementimi sistemit të administrimit financiar;
• Edhe kontribute në operacionet e drejtuara nga OKB.
• Funksionim të të parës njollë të NATO në territorin e RSH, Qendrës së Ekselencës për adresimin e fenomenit të Luftëtarëve të Huaj, të gjitha këto para të paguara nga buxheti i akorduar.
• Rritje te orëve të patrullimit në det dhe orëve të fluturimit sipas standardeve të NATO;
• Mbajtje në operacionalitet të plotë të pajisjeve të FA:

Të nderuar deputetë:

Duke përfunduar më lejoni të shpreh edhe një herë bindjen time të palëkundur dhe të siguroj qeverinë, Parlamentin dhe taksapaguesit shqiptarë se ne do t’ia dalim që me këtë buxhet si dhe masat që do të marrim për përdorimin e tij efikas dhe efiçent të plotësojmë me sukses misionin tonë kushtetues në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha angazhimeve tona në raport me Aleancën.

Ju faleminderit!

Mare nga faqia zyrtare e MM.

www.aliiss.org

Leave a Reply