Gjeneral AHMETAJ: “Samiti i NATO-s në Varshavë dhe Shqipëria”

26 Maj 2016

pirro ahmetaj

26 Në datat, 8-9 Korrik 2016 do të mbahet në Varshavë, Poloni, Samiti i 27 i NATO-s. Me këtë artikull synoj të informoj publikun e gjerë, por edhe aktorë të tjerë të interesuar, mbi disa çështje themelore të samiteve në përgjithësi, si dhe pritjeve të këtij samiti në veçanti.  For English version click at the link . http://www.aliiss.org/aliiss/?p=14069 5

I. Pse ky artikull? Theksoj se gjetjet e këtij artikulli mund të shërbejnë si “ngacmim për trurin – food for thoughts” e profesionistëve, strukturave dhe autoriteteve që e kanë për përgjegjësinë të përgatisin qëndrimet e Shqipërisë në këtë Samit. Ka disa muaj që çështjet e Samitit po debatohen në të gjitha vendet e tjera Aleate, dhe mendoj se ky muaj duhet të shërbejë edhe tek ne, tashmë si pjesë e Aleancës, muaj i informimit publik dhe shkëmbimit të mendimeve të  udhëheqësve, ekspertëve dhe qytetarëve shqiptarë, për çështjet më të “nxehta” të këtij samiti. Nuk pretendoj shterimin apo të vërtetën absolute të gjetjeve të këtij artikulli, përveç se një kontribut modest në përgatitjet e vendit tonë për qëndrimet e mundshme në këtë samit.

Pse u përzgjodh Varshava? U përzgjodh Varshava dhe Polonia si vendi më i “gjetur”, për risjellë kujtesën e mesazheve historike të simbolikës së shkatërrimit, të përvuajtjes dhe të qëndresës të këtij vendi ndaj “djajve të kuq” dekada më parë në shekullin e kaluar. U përzgjodh Varshava që u pranua e para në NATO/BE pas luftës së ftohtë dhe që ka admirimin dhe besimin e perëndimit për reformat e suksesshme që ka bërë. U përzgjodh Varshava sepse po përjetojmë një kohë kur “ariu polar është zgjuar nga gjumi” dhe rreziku i Rusisë ndaj vëndeve që zgjodhën të përfshihen në Aleancës e NATO-s është tani më imediat se kurrë më parë. U përzgjodh Varshava sepse vetë autoritetet e Varshavës e kërkuan mbajtjen e këtij Samiti në kryeqytetin e tyre si shenjë e solidaritetit aleat. U zgjodh Varshava për ti ri-konfirmuar Rusisë qëndrimin e palëkundur të NATO-s për mbrojtjen e territoreve të vendeve aleate të saj. Për këto dhe shumë të tjera, u përzgjodh me të drejtë Varshava!

Ç’janë Samitet e NATO-s? Samitet e NATO-s nuk janë takime të zakonshme/rutinë që mblidhen në mënyrë periodike, por ngjarje madhore në udhëkryqet kritike për procesin e vendimmarrjes strategjike së Aleancës. Sipas  përcaktimit zyrtar në Samite: “Kryetaret e Shteteve dhe të Qeverive, vlerësojnë mjedisin e sigurisë dhe miratojnë një direktivë strategjike për vazhdimësinë e angazhimeve të Aleancës”. Nga gjithsej 27 Samite, 10 prej tyre janë zhvilluar gjatë ‘luftës së ftohtë’ mbas vitit1949, ndërsa 17 prej tyre janë zhvilluar mbas vitit 1990. Në samitet e ‘luftës së ftohtë’, si çështje themelore të samiteve shohim konfrontimin konvencional dhe bërthamor, konceptet strategjike të “frenimit”, të “mbrojtjes së përparuar”, të “mbrojtjes së zhdërvjellët”, të “shpagimit masiv” etj, ndërsa mbas viteve 90, me ndryshimet e mjedisit të sigurisë, shohim zhvillimin e kërcënimeve asimetrike, zhvillimin e kapaciteteve dhe operacioneve jashtë territoreve të saj (out of article 5), si dhe politikën për një Europë të bashkuar dhe të lirë për një aleancë të “Dyerve të Hapura nga Vankuveri në Vladivostok”.

II. Vitaliteti i NATO-s: “Një organizatë në transformim të pandërprerë”. Reforma konceptuale, doktrinare dhe strukturore përbën themelin e mbijetesës, fuqisë dhe kredibilitetit të Aleancës, pas luftës së ftohtë. NATO mbijetoi si një strukturë vitale sepse ajo u përshtat me mjedisin e sigurisë nëpërmjet reformave transformuese. Ajo ka transformuar vetveten në formë dhe përmbajtje, duke dominuar biznesin e axhendës globale të sigurisë me politika, strategji koncepte, struktura, infrastruktura, sistem të planifikimit, rregulla të angazhimit, si dhe modernizim të “procedurave dhe kulturës” së komunikimit me vendet anëtare dhe partnere. Kjo nuk do të thotë që kjo organizatë nuk ka defekte. Ato janë të pashmangshme si rezultat i “lirisë se pikëpamjeve” dhe këndvështrimeve të ndryshme të 28 vendeve nga perëndimi dhe lindja, me prejardhje, histori, kultura, ambicje dhe qasje të ndryshme, por me një qëllim të përbashkët: të mbrojmë vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirive themelore të njeriut, dhe ekonomisë së tregut të lirë. Suksesi i Aleancës qëndron pikërisht në arritjen e konsensusit të përbashkët për “çështjet e mëdha”, me bekgraunde, interesa dhe qëndrime të ndyshme, që shpesh zgjaten përtej pritjeve normale, por që në thelb përbëjnë forcën dhe vitalitetin e Aleancës, si aleancë e shprehjes së mendimit të lirë të vëndeve sovrane demokratike.

Traktati i Uashingtonit 1949, konsiderohet si “kutia e Pandorës” së Aleancës, pasi nëse ai “preket me themel” do të krijonte pikëpyetje për vetë ekzistencën e saj. Për këtë qëllim, në vend të rishikimit të Traktatit, Aleanca u tregua e zhdërvjellët pas mbarimit të luftës së ftohtë dhe miratoi 3 Koncepte Strategjike: në Samitin e Romës 1991, në Samitin e Uashingtonit 1999, dhe atë të Lisbonës 2010. Në planin politik, këto 3 koncepte përbëjnë “zgjidhje të mençura” për mbijetesën e NATO-s nëpërmjet angazhimit të saj jashtë territoreve të Aleancës përtej rreziqeve të Nenit 5 të mbrojtjes kolektive. Si pasojë e ndryshimit të thellë të mjedisit të sigurisë, në 26 vjet të pas luftës së ftohtë, NATO ka reduktuar ndjeshëm Vendislokimet e saj Strategjike (nga 40 në 7) dhe ka zvogëluar 6 herë numrin e personelit të Kohës së Paqes.

Reforma politike e zgjerimit të NATO-s. Siç u përmend më sipër, bazuar në mjedisin e ri të sigurisë pas viteve 90-të, liderët e mirënjohur të NATO-s iniciuan në Samitin e Romës (1991) projektin politik të ‘dyerve të hapura’ (Open Door Policy), një projekt me vlera kritike për mbijetesën e NATO-s. Kjo pasi, me “shkrirjen  e traktatit të Varshavës”, “kishte humbur armiku potencial dhe legjitimiteti moral” për të cilën u ngrit Aleanca e Atlantikut të Veriut në 4 Prill 1949. Mbi këtë projekt, në 1992, mori rrugë programi i Partneritetit për Paqe (PfP), në të cilin edhe Shqipëria ishte ndër vëndet e para.

Pavarësisht “rezistencës Ariut të ngujuar dhe tkurrur”, vendet e lindjes komuniste  u vunë “në garë për tu anëtarësuar sa më shpejt” në Aleancë. Në Samitin e Uashingtonit (1999), ky projekt  u konkretizua me pranimin e Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë, ndërsa 10 vëndeve të tjera, përfshi RSH, iu dha statusi i vendit aspirant/MAP. Në 2005, Stamboll, 7 nga vendet aspirante u pranuan anëtare (vala më e gjerë e zgjerimit në historinë e NATO-s), ndërsa në prill 2009 në Strasburg&Keil, Shqipëria dhe Kroacia e çuan në 28 numrin e vendeve të Aleancës.

Projekti Politik i Zgjerimit ka shërbyer si mekanizëm për “demokratizimin e vendeve të kampit të lindjes” në 5 fusha themelore: Politike dhe Ekonomike, Ushtarake, Financiare, Ligjore, si dhe të Informacionit. Për fat të keq, përjashto rastin e Shqipërisë, për 11 vendet e tjera anëtarësimi në NATO ka shërbyer edhe si një “garanci shtesë” për tu anëtarësuar në BE. Për Ballkanin, zgjerimi ka shërbyer si mekanizëm mirëbesimi. Vendet u transformuan nga konsumuese në kontribuuese të sigurisë dhe në “rrugën e anëtarësimit” përmirësuan standardet dhe nivelin e demokracisë. Dera e NATO-s “mbetet e hapur” për vendet partnere apo aspirante, si ato të rajonit tonë, por edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Nga ana tjetër, për të nxjerrë Rusinë nga strofulla e “paranojës së kërcënuar nga armiku”, NATO dhe Rusia kanë krijuar një “Komitet permanent konsultimi NATO-Rusi”. Duke iu referuar gjendjes dhe perspektives së marrëdhënieve NATO-Rusi, analisti GK Chesterton thotë: “Ne bëjmë miq ose armiq, por fqinjët na i ka vendosur Zoti”.

Çështje të buxhetit dhe kapaciteteve. Kushdo e kupton që, në mënyrë që NATO të jetë e besueshme, ajo kërkon nga vëndet anëtare të saj buxhete të besueshme për të ndëruar kapacitetet që i ka caktuar nëpërmjet “principit” të ndarjes së drejtë të barrës “fair burden sharing”. NATO është një organizatë ku fuqia e saj është një agregat sinergjik i fuqisë së 28 vëndeve anëtare të saj. Si Aleancë, ajo ka pak struktura dhe kapacitete, të cilat janë struktura dhe kapacitete strategjike, që integrojnë kapacitetet e vendeve aleate sipas sistemit të planifikimit strategjik aleat (NDPS). Pra, vendet janë të obliguara të zhvillojnë kapacitetet që alokohen nga sistemi i Aleancës, për të “përfituar” realisht nga mbrojtja dhe siguria kolektive.

Nga ana tjetër, NATO nuk e ka ndryshuar nivelin e ambicieve të saj (që njihet si niveli 2 + 6), por nga njeri Samit në tjetrin ajo ka modernizuar sistemin e planifikimit dhe vendimmarrjes. Në Kosovë, Afganistan, Libi, Mesdhe, Gjirin e Hormuzit, etj, NATO u faktorizua si struktura më e fuqishme ushtarake, si dhe “shpresa e vetme” për vlerat e lirisë, sigurisë dhe stabilitetit në botë. Nga prezenca “zero” jashtë territoreve të saj në fillim të viteve 90-të, ajo arriti në një total prej 170.000 trupa në terren në Afganistan (ISAF-2012). Kjo përbën një angazhim të jashtëzakonshëm të shoqëruar me një kosto të jashtëzakonshme.

Megjithatë sfidë kritike e Aleancës mbetet vendosmëria e udhëheqësve të vendeve aleate për të përmbushur angazhimet për ndarjen e barrës së kostos së kapaciteteve që i duhen NATO-s për përmbushjen e nivelit të ambicies së saj. Në disa Samite radhazi, por edhe në 2014 në Uells, Kryetaret e Shteteve dhe Qeverive edhe pse nënshkruan solemnisht se do të rrisnin buxhetin dhe do jetësonin Planin e Veprimit për Gatishmërinë (RAP) dhe Task Forcën e Gatishmërisë Shumë të Lartë të Aleancës (VJTF), një pjesë e vëndeve aleate po shkojnë në Varshavë me angazhime të pambajtura. Të dhënat nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike të Anglisë (IISS-Military Balance 2016) tregojnë se vendet aleate po shpenzojnë mesatarisht 1.1% të GDP. Lista mbyllet me disa vende problematike, midis tyre edhe RSH, që në 3 vitet e fundit e kanë zbritur buxhetin nën 1 % të GDP-së.

Ç’pritet nga Samiti i Varshavës? Ky Samit i 27-të do të shërbejë si një mundësi e pazakontë për “Kryetaret e Shteteve” të vendeve aleate për të shkëmbyer këndvështrimet e tyre për rreziqet e mjedisit të ri të sigurisë, për gjendjen aktuale dhe perspektivën e Aleancës.

Rreziqet nga Lindja dhe Jugu. Samiti  i Varshavës pritet të jetë historik për Aleancën, për shkak se ky samit mbahet në momente kur në kufijtë lindor dhe jugor të saj ka zhvillime të pazakonta, kur shkeljet e hapësirës ajrore dhe detare ndaj “Aleatëve e vijës së parë” (Norvegji/Finlande, Poloni, 3 vendet Baltike, Turqi), konsiderohen si “më të rëndat që nga koha e luftës së ftohtë”, dhe kur marrëdhëniet NATO-Rusi “janë të ngrira”. Për këtë arsye ky samit pritet të ri-konfirmojë qëndrimin e palëkundur aleat ndaj nenit 5 të mbrojtjes kolektive, sidomos ndaj vendeve në periferi të aleancës që e përjetojnë më shumë këto rreziqe.

Në 15 vitet e fundit, dhe sidomos 3 vitet e fundit nëpërmjet Doktrinën Putin-Medvedev 2013 dhe 2015, demonstrohet një rritje e ambicieve gjeopolitike të Rusisë dhe përcaktimi i NATO-s si një kërcënim kryesor ndaj saj. Në rastin e “pushtimit” të Aeroportit të Kosovës (1999), tregoi se ajo “ishte ende gjallë”; në rastin e “pushtimit” të Gjeorgjisë 2009 demonstroi se po ri-ngrihej në këmbë, ndërsa në rastin e Krimesë dhe së fundmi të Sirisë, ajo po demonstron se nuk ka ndërmend të bëjë lëshime për trofetë gjeopolitike që i takojnë “Ariut Polar”.

Buxheti i mbrojtjes së Rusisë ka pasur një rritje të shpejtë pas vitit 2000, kur për vitin 2016 ka arritur në 49 miliard dollarë,  (rreth 3.8 % të GDP), një shifër rekord pas luftës së ftohtë. Në 4 dhe 9 Maj 2016, Ministri Mbrojtës se Rusisë Sergei Shoigu, konfirmoi ngritjen e 3 Divizioneve të reja aktive me 10.000 trupa secili, të 5 Regjimenteve me raketa nukleare, si dhe në datën 17 Maj, ngritjen e një Sistemi kundër raketor në Krime, sipas tij “në përgjigje të drejtpërdrejtë të intensifikimit të stërvitjeve (nënkupto rreziqeve) të NATO-s në kufijtë perëndimorë dhe Jugorëdhe të sistemit raketor të Aleancës të inauguruar ditët e fundit në Rumani”.

Me gjithë rritjen e konsiderueshme, buxheti mbrojtjes i Rusisë është 15 herë më e ulët se ai i SHBA dhe 20 herë më i vogël se buxheti i të gjithë vendeve të NATO-s së bashku. Por, qëllimi i Rusisë është të krijojë perceptimin se bota po ri-kapet nga “ethet e luftës së ftohtë”; të riciklojë mitin e “Carëve/Putinit të pavdekshëm; të ushqejë “ushtrinë e nostalgjikëve jo vetëm brenda Rusisë”, të përdorë supermacinë e resurseve të gazit dhe naftës; të inspirojë “krizën e refugjateve”, të lëkund kohezionin në NATO dhe fus vendet evropiane në kriza politike. “Një Rusi e dobët, është më e rrezikshme se një Rusi e fortë!” nënvizon Admiral James G. Stavridis, ish-Komandant i Komandës Supreme të NATO-s. Kina po ashtu, nëpërmjet fuqisë ekonomike (Rrugën e Mëndafshit) po përpiqet të “imponojë” norma të reja dhe të faktorizohet në sistemin global të sigurisë. Pra, ky Samit pritet të miratojë një direktive “shtrënguese”, për të prodhuar buxhete dhe për rrjedhojë kapacitete të afta për të përmbushur nivelin ambicieve të Aleancës, në kuadër të Nenit 5.

Adresimi i rreziqeve që vijnë nga Jugu i Aleancës mbeten një çështje e rëndësishme për diskutim nga ky Samit. Rreziqet asimetrike, kriza e refugjatëve, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, konfliktet civile, format hibride dhe rreziqet nga ‘vendet e dështuara’, si dhe rreziku nga i ashtuquajturi ISIS, dhe qasjet përkatëse mund të jenë disa prej tyre. Pavarësisht se rreziqet e kësaj natyre janë jo tipike të natyrës së misionit të NATO-s, por më shumë të BE-së, ky samit do të diskutojë se çfarë mund të bëjë NATO në përballimin e kësaj sprove të vështirë. Vendet e jugut do të synojnë të ndikojnë që qëndrimi i Aleancës të jetë më i vendosur për këto rreziqe. Aq më shumë që NATO dhe BE kanë një forum të përbashkët që diskuton në mënyrë permanente çështjet me interes të përbashkët dhe qasjet përkatëse. Edhe Shqipëria duhet të formulojë qëndrimin e saj për këtë çështje.

Konfirmimi i marrëdhënieve transatlantike. Samiti pritet të konfirmojë rëndësinë e marrëdhënieve trans-atlantike dhe veçanërisht rolin jetik të SHBA në Aleancë. Pa fuqinë ushtarake (përfshi nukleare) të SHBA nuk mund të ketë një NATO të fuqishme për të zbatuar strategjinë e “frenimit”. Barra e buxhetit dhe kapaciteteve ushtarake të SHBA në raport me 26 vendet  e tjera Evropiane është rritur në rreth 80% me 20% nga rreth 60% me 40% që ishte para viteve 90, gjë që nuk :tingëllon” e drejtë. Në 10 vitet e fundit, nga Autoritetet e SHBA është kërkuar më shumë përgjegjshmëri në ndarjen më të drejtë të barrës. Kjo kërkon që udhëheqësit e vendeve europiane të NATO-s, përfshi edhe Shqipërinë, te mos “bëjnë lodra fjalësh” por të përmbahen angazhimeve që marrin në Samite, Ministeriale, NAC, dhe sidomos ato të samitit të kaluar të Uellsit për rritjen graduale në 2% të GDP në periudhën afatmesme.

III. Samiti i Varshavës dhe Shqipëria. Presidenti Nishani ka theksuar se “Anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike pas themelimit të shtetit shqiptar”. Duke qenë pjesë e stafeve të “negociatorëve teknik” në procesin e marrjes së ftesës, deri në nënshkrimin e  “anëtarësimit të plotë teknik”, konfirmoj se Shqipëria përbën një “vend model”. Kjo pasi shumica e 11 vendeve të tjera, pas anëtarësimit e ulën nivelin e Angazhimeve të tyre në raport me NATO-n. Nga anëtarësimi në Prill 2009 deri në Shtator 2013, Shqipëria përmbushi Objektivat e Anëtarësimit Teknik në NATO; rriti buxheti i mbrojtjes deri 2 % të GDP në 2008 (184 milion €), me mbështetjen e SHBA realizoi Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM/SDR) dhe hodhi themelet e një projekti modern në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ndër reformat dhe produktet e mëdha përmendim: rritjen e kapaciteteve dhe kontributeve në operacionet ndërkombëtare (rreth 450 ushtarakë njëherësh në vitin 2008 dhe 2009); prezencën e 60 ushtarakëve në strukturat aleate të kohës së paqes; finalizimin e një “projekti shëmbullor” për demontimin e municioneve të trashëgimisë të regjimit komunist; alokimin e rreth 30% të buxhetit për projekte të modernizimit të FASH, si: Vëzhgimi i Hapësirës Detare, Anijet e Patrullimit, Helikopterët, Forcat Speciale, Uniformat; Qendra Strategjike dhe Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Qendrën e Simulimit; Dixhitalizimi i të dhënave të personelit, Muzeun dhe rritjen e imazhit të FA, etj; u nënshkruan dhjetra marrëveshje mirëkuptimi për Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, etj. Për këto arritje te konsultuara dhe votuara me konsensus, dhe të certifikuara nga NATO, Shqipëria e meritoi përcaktimin zyrtar si “një ndër 5 vendet model në përmbushjen e detyrimeve në NATO”.

Në vitet e fundit, fatkeqësisht “Shqipëria ka rrëshqitur në fundin e listës të përmbushjes se angazhimeve në NATO”, për  shkak të uljes drastike të buxhetit të mbrojtjes (me pak se 1% të GDP-se, dhe me pak se 90 milion € në tre vitet e fundit); çintegrimit të sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes; prishjes së balancave kushtetuese në vendimmarrjet strategjike; mungesës së konsultimit dhe konsensusit për vendimarrjet në fushën e sigurisë; politizimit të FA, si dhe shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.

Disa konkluzione. Gjykoj se jemi në kohën e duhur për të promovuar një debat gjithëpërfshirës në përgatitjen e qëndrimeve në këtë Samit. Në vijim, po artikuloj disa qëndrime të mundshme që mund të nxisin mendimet në pikëpamje profesionale dhe kontribuojnë ne qëndrimet zyrtare:

1)     Shqipëria mbështet përpjekjet e Aleancës për tu adaptuar dhe transformuar në përputhje me zhvillimet e mjedisit strategjik për të reaguar shpejtë dhe me cilësi ndaj rreqeve të mjedisit të sigurisë. Ajo do të vijojë të ndajë barrën, përgjegjësitë dhe do të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Gjeorgji, Ukrainë etj, dhe garanton solidaritet të “pa-kushtëzuar”, mbështetje dhe konsensus për të gjitha projektet dhe angazhimet e Aleancës në interes të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive.

2)     Shqipëria ndjek me vëmendje dhe shqetësim veprimet e Rusisë në periferi të kufijve lindorë të Aleancës dhe bashkohet me Aleancën për ri-konfirmimin e mbrojtjes kolektive për të gjitha këto vende aleate në lindje, dhe është e gatshme që të kontribuojë, sipas rastit dhe mundësive, me kapacitetet e veta kombëtare për këte qëllim. Po ashtu, Shqipëria mbështet qëndrimet e Aleancës për një qasje të përbashket ndaj të kërcënimeve asimetrike të sigurisë: “terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, si dhe përballimin e krizës së refugjatëve, etj.

3)     Në kuadër të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Shqipëria ka lançuar dhe kërkon mbështetjen e vendeve aleate për ngritjen e një “Qendre Ekselence të NATO-s për Luftëtaret e Huaj”. Kjo qendër do ti kontribuojë Shqipërisë, vendeve te rajonit, për sigurinë e NATO-s dhe më gjerë.

4)     Shqipëria çmon forcimin e marrëdhënieve Transatlantike dhe rolin jetik të SHBA në sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Ajo mbështet çdo iniciativë dhe projekt për zhvillimin diplomacisë së efektshme dhe kapaciteteve aktive, në mënyrë që NATO të mbetet e aftë të mbrojë territoret e saj nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që të vijnë; mbështet forcimin e marrëdhënieve me BE dhe strukturat e tjera të sigurisë globale;

5)     Shqipëria konfirmon “votën e fortë PRO” dhënies së ftesës për pranimin e Malit të Zi në NATO, me  bindjen se ky zgjerim i shërben sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovon përpjekjet e vëndeve të tjera të rajonit, si të Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, për plotësimin e kërkesave për anëtarësim. Shqipëria angazhohet se do të mbështesë me ekspertizë dhe eksperiencën e saj 7 vjeçare udhëtimin e këtyre vendeve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, si dhe zhvillimin e projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta “smart”, për vëzhgimin e hapësirës ajrore dhe policimin ajor, mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, emergjencat civile, etj.

6)     Shqipëria është e vetëdijshme se buxheti i mbrojtjes mbetet ‘thembra e Akilit’ për të përmbushur nivelin e ambicies së Aleancës. Është e ndërgjegjshme se ka patur ulje të buxheti i mbrojtjes në vitet e fundit. Angazhoheti se duke filluar nga vitin 2017 buxheti i mbrojtjes do të arrijë në 1.2 % GDP, duke u rritur në vijim me 0,2% të GDP çdo vit, me synimin e zhvillimit të kapaciteteve të afta për përballimin e sfidave të sigurisë së qytetarëve dhe shoqërisë, si dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s.

7)     Shqipëria konfirmon angazhimin për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit në përputhje me sistemin e mbrojtjes kolektive, nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse në fushën e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

Më lejoni ta mbyll këtë artikull për gazetën tuaj të nderuar me fjalët e Ish-Presidenti i SHBA John Kennedy në ceremoninë e hapjen së Konferencës se Munihut për Sigurinë të vitit 1963: “Ti hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”! Jam shpresëplotë se në këtë Samit do të ri-konfirmohet vizioni, vullneti, solidariteti, iniciativat, projektet, programet, mbështetja e nevojshme financiare për ngritjen e kapaciteteve të afta të përballjes së NATO-s me rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë, paqes, lirisë, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik në hapësirën euroatlantike.

Opinionet e këtij artikulli janë tërësisht këndvështrime profesionale të autorit.

P i r o    A H M E T AJ,

Gjeneral Brigade ® , ALB  A Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës!

Ish-Zëvendës Shef i Shtabit te Përgjithshëm dhe

Ish-Përfaqësues Ushtarak i RSH ne Komandën Supreme te NATO-s

www.aliiss.org

Leave a Reply